Speeches Shim
Një djalë i ri nga komuna e Gjakovës në Kosovën perëndimore e ngriti standardin e pritshmërive kur filloi të ofrojë ndihmë ushqimore për anëtarët e komunitetit të tij. Në pranverën që kaloi Arditi dëgjoi nga një mik që një familje në komunitetin e tyre kishte nevojë për ndihmë ushqimore për shkak të shpërthimit të virusit COVID-19 dhe ai e dinte se duhej të ndihmonte. Në fillim, gjithçka që ai kishte ishte përvoja vullnetare, pak para, disa miq mbështetës dhe dëshira e lartë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
“Familja e parë që ndihmuam ishte një i afërm i njërit prej shokëve të mi. Por menjëherë pas kësaj, kontaktuam dhe bashkëpunuam me OJQ-të lokale për të krijuar një listë të përfituesve të mirëfilltë”, shpjegoi Arditi.
Arditi shpejt identifikoi dhe ndihmoi me ushqim dhe transport edhe 10 familje të tjera në komunitetin e tij. Pas disa ditëve të shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë, më shumë njerëz iu bashkuan përpjekjeve të tij. Një kompani private filloi të dhuronte mallra si dhe më shumë miq të Arditit filluan të mbështesnin iniciativën e tij. Përpjekjet e Arditit dhe miqve të tij kanë bërë që të ndihmohen 20 familje.
“Ndihma që siguruam për familjet në nevojë ishte mjaft bazike. Ne shpërndanim gjësende ushqimore thelbësore dhe ndonjëherë siguronim transport për të moshuarit, por kjo kishte domethënie të madhe për ta. Dhe kjo më dha një ndjenjë të shkëlqyer. Duke ndihmuar komunitetin tim, u ndjeva shumë i lumtur”.
Iniciativat joformale të udhëhequra nga të rinjtë mund variojnë nga ndihma në nevojat më bazike për komunitetin e tyre lokal, tek iniciativat më të mëdha të rrjetit rajonal. Pavarësisht sa e madhe apo e vogël është iniciativa, ato të gjitha kanë një gjë të përbashkët: të rinjtë që janë të gatshëm të ndërmarrin veprime dhe të udhëheqin të tjerët. Veprimet si ato të Arditit jo vetëm që u mundësojnë të rinjve të marrin përgjegjësi të rëndësishme, por edhe u mundësojnë komuniteteve të përfitojnë nga talentet, këndvështrimet, energjia dhe krijimtaria unike e të rinjve. Përveç kësaj, të rinjve u mbetet ndjesia e mirë e ndikimit të vërtetë në jetën e njerëzve dhe dhënies së kontributit domethënës për komunitetet e tyre.
Ardit Alijaj iu bashkua grupit “Up to Youth” në komunën e Gjakovës këtë vit. Aktiviteti “Up to Youth” i USAID-it përqendrohet në mobilizimin dhe angazhimin e të rinjve në mënyra domethënëse për të ndikuar në ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.