NDËRMARRËSIT BUJQËSORË NXJERRIN NË PAH ROLIN THELBËSOR TË INOVACIONIT DHE TEKNOLOGJISË  

Speeches Shim

E mërkurë, 6 janar, 2021
Bujku paraqet rezultatin e të vjelurave
USAIDKosovo

Aktiviteti i USAID Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale lehtësoi, së bashku me Odën Ekonomike Amerikane, një diskutim virtual lidhur me ndërmarrësinë, inovacionin dhe teknologjinë bujqësore, si pjesë e Javës Globale të Ndërmarrësisë. Ky sesion i transmetuar drejtpërdrejt përshkroi përparimin e bërë gjatë dekadës së kaluar në zhvillimin e agrobiznesit dhe rolin e shkencës dhe teknologjisë në këtë rrjedhë. Panelistë ishin investitori i agrobiznesit, Armend Skeja; Kryeshefi Ekzekutiv i Biotech Agriculture, Endrit Ahmeti; dhe bashkëpronari i fermës së boronicave Sante Fruit, Yll Hoxha.

Secili panelist nënvizoi rëndësinë e teknologjisë në të ardhmen e bujqësisë, duke përfshirë zgjidhjet teknologjike për ujitje, menaxhimin e ushqimit të bimëve dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve. Gjatë diskutimit, Armend Skeja theksoi se “pa teknologji, ne nuk po përdorim gjithçka që mundemi në bujqësi.” Panelistët përshkruan dobinë e stacioneve të motit dhe vëzhgimin me dronë, si dhe nevojën për qasjen dhe përvetësimin e teknologjive më të fundit për të qëndruar konkurrues në tregjet lokale dhe ndërkombëtare.  

Të gjithë panelistët theksuan potencialin e fortë për punësimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë. I diplomuari kohëve të fundit dhe themeluesi i BioTech Agriculture, Endrit Ahmeti, ndau përvojën e tij personale me pjesëmarrësit. Endriti e themeloi kompaninë e tij në vitin 2020 pasi hulumtoi dhe punoi me inxhinierë për të krijuar një sistem të mençur të ujitjes që kontrollohet nga telefoni. Ai u frymëzua për të gjetur një zgjidhje teknologjike për kostot e larta të ujitjes pas një udhëtimi universitar në fermën e boronicave të një panelisti tjetër, Yll Hoxha. Kompania e Endritit tani po prodhon sera të mençura, të cilat përfshijnë karakteristika të tilla si kontrolli i lehtë dhe automatik i dritareve, ujitjes dhe monitorimit të tokës. “Duke përdorur këtë teknologji, një fermer është në gjendje të hyjë në treg dy javë më herët gjë që i mundëson atij shitjen me një çmim më të lartë. Kështu, familjet kanë të ardhura më të larta dhe ka më shumë të ngjarë të investojnë në fëmijët e tyre.” Endriti theksoi se bujqësia e mençur, e kontrolluar në mënyrë dixhitale mund të tërheqë më shumë gra dhe të rinj në bujqësi.

Paneli përfundoi me panelistët që nënvizuan nevojën për një marrëdhënie pune më të fortë publiko-private për të financuar dhe për të rritur nivelet e inovacioneve teknologjike në bujqësi. Audienca u largua me shembuj të mirë se si të përmirësojnë bizneset e tyre dhe si të krijojnë kontakte të reja lokale me të cilët ata mund të vazhdojnë dialogun.