TË RINJTË E KOSOVËS TRANSFORMOJNË BIZNESIN VETANAK PËRMES SHKATHTËSIVE NDËRMARRËSE TË SAPOFITUARA

Speeches Shim

E mërkurë, 23 Dhjetor, 2020
Bardha dhe Ina duke dizajnuar produktin e ri
Aktiviteti i USAID-it Varet nga Rinia

Para më pak se dy vitesh, Fatbardha Muharremi dhe Herolinda Rexhepi ishin të papunësuara. Fatbardha kishte përfunduar rishtazi fakultetin duke u diplomuar në banka dhe financa, ndërsa Herolinda, me pasionin e saj për veshje, kishte mbaruar kurse rrobaqepësie jashtë vendit. Pak kohë pasi Herolinda u kthye në Kosovë, ajo u lidh sërish me Fatbardhën. Këto dy të reja u bashkuan për të hapur një biznes të vogël rrobaqepësie në qytetin e tyre të Vitisë. Megjithatë, atyre u mungonte përvoja dhe njohuritë lidhur me hapjen dhe drejtimin e një biznesi të vogël. Vitin e kaluar, Fatbardha dhe Herolinda i’u bashkëngjitën grupit të themeluar në kuadër të aktivitetit të USAID-it Varet nga Rinia (“Up to Youth”) në Viti, ndërsa rishtazi edhe shkollës së ndërmarrësisë të këtij aktiviteti.

"Një nga instrumentët më të dobishëm për të cilët mësova në shkollë, e që absolutisht do ta përdori në punën e përditshme për të zgjëruar biznesin tonë, ishte plani i marketingut dhe biznesit," tha Fatbardha. Krahas trajnimit, si Fatbardha ashtu edhe Herolinda ishin pjesë e vlerësimit të shpejtë të tregut në kuadër të programit Varet nga Rinia. Së bashku me 15 të rinj tjerë të Vitisë, ato zhvilluan intervista me përfaqësues të biznesit në komunitetin e tyre. “Takimet me anëtarët e komunitetit tonë të cilët kishin prezencë të gjatë në treg më shtuan vetëbesimin dhe entuziazmin për të eksploruar më tej tregun. Ne mësuam se edhe dështimi në të vërtetë nuk është dështim, por pjesë e rrugëtimit,” shtoi Fatbardha.

Si rezultat i shkathtësive dhe njohurive të reja të fituara gjatë shkollës së ndërmarrësisë, Fatbardha dhe Herolinda së shpejti do të zgjerojnë biznesin e tyre duke u ofruar klientëve kostume tradicionale dhe popullore. Kjo ide u lindi atyre gjatë vlerësimit të shpejtë të tregut me bizneset lokale, pasi erdhën në përfundim se askush brenda komunës së tyre nuk ofronte veshje tradicionale. “Shumë njerëzve nga komuniteti ynë u duhet të shkojnë në qytete tjera për të blerë kostume tradicionale. Ne dëshirojmë që klientët tanë të kenë mundësinë e blerjes së kostumeve tradicionale në komunitetin e tyre."

Përveç Fatbardhës dhe Herolindës, gjashtëdhjetë pjesëmarrës të rinj nga nëntë komuna të ndryshme në Kosovë kanë marrë pjesë në shkollën e ndërmarrësisë që është pjesë e aktivitetit Varet nga Rinia. Disa nga këta të rinj tashmë posedojnë biznese të vogla ose kontribuojnë në biznesin familjar, ndërsa të tjerët për herë të parë po krijojnë plane të ndërmarrësisë. Përmes pjesëmarrjes në shkollën e ndërmarrësisë, të rinjtë do të fitojnë shkathtësitë dhe njohuritë e domosdoshme ndërmarrëse për të kuptuar sektorin privat dhe për t’u angazhuar më mirë me të, gjë e cila do t'i përgatis ata për pjesëmarrje në ekonominë komunale dhe atë nacionale.