Speeches Shim
Një shoqëri mund të përparojë vetëm kur e gjithë popullsia e saj, burra dhe gra, është plotësisht e angazhuar. Në Kosovë, ku gratë përballen me shumë sfida, më shumë se 80 përqind e tyre nuk janë aktive në forcën e punës, ndërsa tek pjesa e mbetur e grave që janë aktive, shkalla e papunësisë është 37 përqind. Si ndërmarrëse, gratë përfaqësojnë vetëm 10 përqind të pronarëve të bizneseve dhe posedojnë kryesisht ndërmarrje mikro dhe të vogla. Aktivitetet e USAID-it kanë për synim t’i ngrisin kapacitetet e grave ndërmarrëse dhe të krijojnë kushte që do t'u ndihmojnë grave të jenë më të angazhuara dhe të arrijnë suksese në ekonomi. Më konkretisht, këto aktivitete u ndihmojnë grave përmes mundësive të përmirësuara për punësim dhe investimeve afariste në sektorë të ndryshëm, më tej përmes lehtësimit të qasjes në kredi, trajnimeve për profesione të caktuara dhe mentorimeve në vende të punës. Fabrika e këpucëve “Solid,” e cila fitoi një nën-grant në kuadër të një projekti të USAID-it me qëllim që t’i mundësohej zgjërimi me një linjë të re prodhimi, është shembull i një biznesi të suksesshëm kosovar që ka zbatuar praktikat e punësimit me ndjeshmëri gjinore dhe madje ka financuar një qendër të kujdesit ditor pranë impiantit prodhues.
Solid Shoes ishte ndalesa e parë për Administratorin e USAID-it, Mark Green, gjatë vizitës së tij në Kosovë më 11 dhe 12 nëntor 2019. Pasi vizitoi linjën e prodhimit të këpucëve, Administratori Green u takua me disa gra ndërmarrëse me të cilat bisedoi për sfidat me të cilat ballafaqohen dhe mundësitë që ato kanë në afarizmin e tyre privat si dhe për përvojat e tyre të deritashme, duke qenë se veprojnë brenda një mjedisi të dominuar nga meshkujt. Administratori Green i inkurajoi këto gra afariste të suksesshme që të vazhdojnë të punojnë në drejtim të ngushtimit të hendekut gjinor në sektorët e tyre përkatës si dhe të mentorojnë gjeneratën e radhës të grave ndërmarrëse.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.