RINIA KOSOVARE KONTRIBUON NË KOMUNITETET E TYRE GJATË PANDEMISË

Speeches Shim

E enjte, 21 maj, 2020
Të gjithë kontribuojnë me pjesën e tyre gjatë këtyre kohërave, dhe Drita Dibraniështë një nga shumë këta vullnetarë
USAID, Aktiviteti Up to Youth

Drita si një aktiviste që merret me çështje rinore për një kohë të gjatë, që në mundësinë e  parë iu bashkua ekipit të Qendrës Operative Emergjente në komunën e saj. Ajo është e përfshirë në mënyrë aktive në Aktivitetin Up to Youth të USAID-it, si anëtare e Bordit Këshilldhënës Rinor dhe e kupton se sa i rëndësishëm është vullnetarizmi në komunitetin e saj. Kështu, ajo nuk hezitoi t’i bashkohet përfaqësuesve lokalë të policisë, drejtorisë komunale të arsimit, administratës publike, shëndetësisë, organizatave joqeveritare, bizneseve, dhe Kryqit të Kuq për të siguruar që qytetarët e Vushtrrisë janë të sigurt gjatë pandemisë.

Si pjesë e ekipit të Qendrës Operative Emergjente, Drita dhe vullnetarët tjerë janë përgjegjës për të kontrolluar nëse supermarketet kanë shenjat e duhura që shpjegojnë qartë distancën që duhet mbajtur nga njerëzit të cilët bëjnë blerjet atje. Ata poashtu sigurohen që shoferët e taksive nuk lejojnë më shumë se një person në automjetet e tyre, për një kontakt më të kufizuar dhe për shmangjen e përhapjes së pandemisë. "Java e parë e izolimit ishte jashtë kontrollit, njerëzit blenin ushqime, kishte turma në supermarkete dhe shumë prej tyre nuk mbanin as distancën e as maskat. Tani gjërat duken nën kontroll, ”shpjegon Drita.

Drita punon me kolegët e saj të Qendrës Operative Emergjente në vlerësimin e situatës dhe koordinimin e veprimeve, rishikimin dhe verifikimin e listave të personave që kanë nevojë për ndihmë, qoftë të familjeve në skema sociale, qoftë atyre që kanë humbur punën si pasojë e pandemisë. "Ne shpërndajmë ushqim derë më derë dhe sigurohemi që njerëzit, e veçanërisht të moshuarit të cilët jetojnë në fshatra të largëta pa transport privat, nuk do të mbesin të uritur."

Përballë një krize të pashembullt, të rinjtë kosovarë si Drita e kuptojnë se sa jetësore është ta ndihmosh dhe mbështesësh komunitetin tënd. Aktiviteti i USAID-it Up to Youth punon për mobilizimin dhe angazhimin e të rinjve në mënyra të dobishme drejt realizimit të ndryshimeve pozitive në komunitetet e tyre. Si pjesë e Bordit Këshilldhënës Rinor, Drita dhe anëtarët tjerë të Bordit përfaqësojnë zërat e rinisë në aktivitete dhe përfitojnë përvojë të vlefshme për ta udhëhequr Kosovën e së ardhmes, derisa krijojnë ndryshime pozitive në jetën e individëve, në komunën e tyre dhe vendin e tyre.