MBAHET ME SUKSES SEANCA E PARË GJYQËSORE ONLINE NË KOSOVË

Speeches Shim

E hënë, 10 gusht, 2020
Gjyqtarja Mirlinda Rexhepi pregatitet për seansën onllajn
Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (DPI Millenium)

Më 6 korrik 2020, Gjykatat e Kosovës shënuan ngjarje historike kur në Gjykatën Themelore të Ferizajt u zhvillua seanca e parë gjyqësore virtuale në Kosovë. Gjyqtarja Mirlinda Rexhepi, gjyqtare e lëndëve civile, kryesoi seancën e parë gjyqësore online që është mbajtur në vend duke përdorur teknologjinë për video-konferenca. “Seancat gjyqësore online janë të mirëseardhura, veçanërisht gjatë kësaj pandemie. Ato janë të lehta për t’u mbajtur edhe efikase si dhe na mundësojnë zgjidhjen e lëndëve dhe ndarjen e drejtësisë pa vonesë,” tha gjyqtarja Mirlinda Rexhepi. Pas kësaj seance janë zhvilluar edhe dy seanca gjyqësore online në Gjykatat Themelore të Ferizajt dhe Gjakovës. Gjykatat përfunduan me sukses dy nga tri lëndët civile të shqyrtuara deri më tani.

Për shkak të situatës së ndërlikuar të krijuar nga pandemia globale, gjykatat e Kosovës përballen me sfida për të trajtuar në mënyrë efektive nevojën e qytetarëve për drejtësi, duke mbrojtur njëkohësisht shëndetin publik. Kjo është vështirësuar edhe më tej nga shkalla e përshpejtuar e infeksioneve të reja në Kosovë.  Shtytur nga ndikimi i përkeqësuar në vazhdimësi i pandemisë së COVID-19 dhe për të ndihmuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) në drejtimin e punëve gjatë kësaj emergjence dhe atyre të ardhshme, Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë lehtësoi hartimin e një Plani të Përgatitjes për Emergjenca.  Si pjesë e zbatimit të këtij Plani, gjykatat e Kosovës kanë filluar të mbajnë seanca gjyqësore online si dhe të përdorin hapësira alternative që mundësojnë distancë të mjaftueshme sociale për të akomoduar palët e përfshira.

USAID-i mbështeti drejtpërdrejt KGJK-në duke parashtruar hapat e nevojshëm për krijimin e kushteve të përshtatshme që gjykatat të mund të mbajnë seanca online.  Ndërsa gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me mungesën e laptopëve, shkathtësive teknologjike dhe sfidave të tjera teknike, USAID-i vazhdon të punojë me KGJK-në dhe gjykatat për të identifikuar dhe kapërcyer çdo mangësi në këtë proces, duke forcuar kështu përgjegjshmërinë ndaj nevojave për drejtësi.