KOMPANITË E KOSOVËS SHOHIN MUNDËSI NË ZINGJIRËT E NDËRPRERË TË FURNIZIMIT NDËRKOMBËTAR

Speeches Shim

E martë, 21 korrik, 2020
Imazh i prezentimit onllajn
Aktiviteti i USAID-it për Qeverisje Ekonomike (Chemonics)

Në përgjigje ndaj sfidave të fundit në mbarë botën në lidhje me financat e sektorit publik dhe aktivitetet ekonomike të sektorit privat, Ministria e Financave e Kosovës (MF) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) zhvilluan një forum virtual më 22 maj, të mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisjen Ekonomike. Përfaqësuesit e biznesit u bashkuan virtualisht në konferencën në internet për të diskutuar ndikimin e masave të reagimit në financat publike, si dhe rolin e ardhshëm të sektorit privat.

Gjatë diskutimeve, Lorika Tahiri, nga Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA) nënvizoi mundësinë për kompanitë e Kosovës që të futen në zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar që aktualisht janë nën stres ose janë duke u ristrukturuar për shkak të pandemisë. Asaj iu bashkuan në diskutime përfaqësuesit nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Këshilli i Investitorëve Evropian, Oda e Afarizmit të Kosovës, Oda Ekonomike Kosovare-Gjermane, Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, Klasteri i bizneseve të Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme të Kosovës, Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekzekutiv, dhe Shoqata e Bankave të Kosovës.

Ndërsa panelistët dhe pjesëmarrësit e forumit përfaqësuan një gamë të gjerë sektorësh, ata ranë dakord që kontributi nga sektori privat është thelbësor për bërjen e politikave dhe marrjen e vendimeve, dhe që ekziston nevoja për të krijuar një kornizë për llogaridhënie. Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu që sektori privat duhet t’i njohë dhe adresojë përgjegjësitë për të regjistruar bizneset e tyre dhe për të vepruar në mënyrë formale në vend se joformale, për sigurinë e punonjësve të tyre dhe për shëndetin e ekonomisë në përgjithësi.

Ndërsa sfidat e fundit ndërkombëtare dhe vendimet e qeverisë vendore kanë prekur bizneset e Kosovës, disa përfaqësues, si Tahiri nga KAMA, shohin mundësi. Përkundër sfidave, ndërmarrjet e tekstilit dhe të veshmbathjeve në Kosovë janë zhvendosur me shkathtësi në përgjigje ndaj mjedisit aktual, dhe kanë nisur prodhimin e maskave mbrojtëse të fytyrës dhe veshjeve mbrojtëse për një përdorim, për tregun vendor dhe atë të BE-së. Tahiri theksoi që ajo e sheh uljen e investimeve në Azi si një mundësi për kompanitë kosovare që të fillojnë të mendojnë për eksportet në Evropë. Mundësitë si këto, që mundësojnë ndjekjen e marrëveshjeve të reja të biznesit dhe hapjen e tregjeve të reja, do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, integrimin dhe stabilitetin fiskal të Kosovës.