PLATFORMA E E-PROKURIMIT MUNDËSON BLERJEN E FURNIZIMEVE JETIKE GJATË PANDEMISË

Speeches Shim

E enjte, 5 nëntor, 2020
Pamje e portalit për prokurim elektronik onllajn
DAI për USAIDKosovo

Në kohën kur shumica e qytetarëve të vendit po qëndronin në shtëpitë e tyre gjatë muajve të hershëm të pandemisë COVID-19, institucionet qeveritare të Kosovës ishin në gjendje që në mënyrë efektive të siguronin ofrimin e mallrave dhe shërbimeve për qytetarët falë platformës së prokurimit elektronik (e-prokurimit). I zhvilluar me ndihmën e aktivitetit të USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, e-prokurimi u mundëson të gjitha institucioneve publike të kryejnë aktivitete të prokurimit përmes internetit, duke filluar nga hartimi i dosjeve të tenderit dhe publikimi i ftesave për aplikim, e deri te dorëzimi i ofertave, vlerësimi i ofertave, ankimimet lidhur me ofertat dhe nënshkrimi i kontratave.

Kjo platformë veçanërisht luajti rol kyq gjatë pandemisë COVID-19, pasi u mundësoi institucioneve të blinin furnizime mjekësore që shpëtojnë jetë, përfshirë pajisje mbrojtëse personale, teste PCR për COVID-19 dhe antibiotikë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, spitalet rajonale dhe qendrat lokale të mjekësisë familjare, pa i’u nënshtruar rreziqeve të panevojshme. Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) në periudhën nga marsi deri në shtator të këtij viti, autoritetet kontraktuese kanë realizuar rreth 4,000 aktivitete të prokurimit duke përdorur platformën e e-prokurimit, përfshirë 400 kontrata me një vlerë të kombinuar prej 50 milionë euro për sigurimin e materialit shpenzues mjekësor për personelin dhe pacientët të cilëve u nevoitej.

Duke iu referuar ndikimit që pati platforma e e-prokurimit, anëtari i Bordit të KRPP-së Sami Uka tha, “Përdorimi i e-prokurimit jo vetëm që nxitë transparencë, por është dëshmuar si efektiv dhe i domosdoshëm duke mundësuar prokurime të pandërprera gjatë pandemisë. Pa prokurimin elektronik, sistemi ynë do të ishte kaotik e madje edhe do të mund të pësonte kolaps gjatë kufizimeve të lëvizjes.”