INDEKSI I KONKURRUESHMËRISË SË KOMUNAVE I AFTËSON KOMUNAT QË T’U SHËRBEJNË MË MIRË BIZNESEVE DHE QYTETARËVE TË KOSOVËS

Speeches Shim

E martë, 13 Tetor, 2020
Foto e kopertinës së Raportit të 2018
Nazmije Bajrami

Udhëheqësitë komunale anembanë Kosovën kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre përmes ndërveprimit me sektorin privat. Gjatë një mbledhjeje virtuale më 14 shtator, partneri i USAID-it Instituti Riinvest prezantoi Indeksin e Konkurrueshmërisë së Komunave 2020 para kryetarëve të komunave të Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisjes lokale. Ky Indeks u përgjigjet kërkesave nga kryetarët e komunave dhe zyrtarët lokalë për të mësuar nëse politikat e tyre janë të efektshme dhe u shërbejnë si qytetarëve ashtu edhe bizneseve në komunitetet e tyre.

Për të tretin vit radhazi, komuna e ranguar më së larti përnga performanca është Lipjani, i cili ka një popullsi prej vetëm 58,000. Komunat më të mëdha përballen me një sërë sfidash unike për shkak të madhësisë së tyre dhe kërkesave më të mëdha nga elektorati i tyre. Është tipike për komunat më të mëdha që të ekzistojë një shtresë shtesë e administratës qendrore e cila rëndon barrën burokratike mbi bizneset. Përkundër këtyre sfidave shtesë, shumë komuna të mëdha patën paraqitje të mirë në kuadër të Indeksit.

Indeksi pasqyroi përmirësime të konsiderueshme nga aspekti i nën-indeksit të transparencës dhe atij të shërbimeve mbështetëse te punës dhe biznesit. Nën-indeksi i administratës komunale që vlerëson aftësitë dhe qëndrimet e zyrtarëve komunal ndaj bizneseve dhe paanshmërinë në tenderim publik pati performancën më të dobët. Disa nga rangimet gjithashtu qitën në pah nevojën për një komunikim më të mirë dhe shkëmbim të informatave në mes të qeverisë lokale dhe sektorit privat në komunat përkatëse, ndërsa disa komuna më të vogla treguan performancë të mirë në këtë drejtim.

Drejtoresha e Zyrës së Programeve dhe Politikave pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Alison Case, vërejti se, "Ky përkushtim nga ana e udhëheqësive komunale është thelbësor për suksesin. Mirëpo, ajo që ka rëndësinë më të madhe këtu nuk janë rangimet; gjëja më e rëndësishme është mënyra se si do të përdoren këto të dhëna për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.” Kryetarët e komunave dhe udhëheqësitë komunale shprehën vullnetin e tyre për t'i ndarë mësimet e nxjerra me të tjerët dhe për të vazhduar më tutje pas takimit duke u konsultuar me sektorin privat.

Partnerët e USAID-it në qeveritë lokale luajnë një rol thelbësor në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm afarist i cili tërheq investime, krijon vende të punës dhe nxitë prosperitet. Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave, i financuar nga USAID-i, është një instrument i dobishëm për komunat e Kosovës që u mundëson atyre t’a mbajnë veten të përgjegjshme, ndërsa qytetarëve të Kosovës u mundëson t’i mbajnë të përgjegjshme udhëheqësitë komunale të tyre.