INFORMATAT MBI NDIHMËN JURIDIKE FALAS ARRIJNË DERI TE 150,000 QYTETARË

Speeches Shim

E premte, 23 Tetor, 2020
Kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani i bashkangjitet kampanjës informues për ndihmë juridike
NCSC për USAID

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe të rinjtë, u bashkuan për të shënuar "Javën e Ndihmës Juridike Falas." Aktiviteti i USAID-it Drejtësia ka Rëndësi mbështeti fushatën e javës së ndihmës juridike falas, e cila u zhvillua nga 7 deri më 11 shtator, dhe promovoi informimin dhe angazhimin rreth shërbimeve të ndihmës juridike. Fushata pati për qëllim të informojë dhe fuqizojë qytetarët e Kosovës, veçanërisht grupet e cenueshme, për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Fushatën e filluan, znj. Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe znj. Anita Kalanderi, drejtoreshë e përkohshme ekzekutive e ANJF-së, me fjalimet hyrëse në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Gjatë fjalimit të saj, znj. Osmani theksoi rëndësinë e shërbimeve të ndihmës juridike për komunitetet e cenueshme dhe detyrimin e institucioneve të Kosovës për t'i mbrojtur këto shërbime. "Është e rëndësisë thelbësore për qytetarët që të dinë se të drejtat e tyre janë të garantuara me Kushtetutën tonë," deklaroi znj. Osmani. "Kur qytetarët duan t'i mbrojnë të drejtat e tyre përmes mekanizmave ligjor, ata duhet të jenë në gjendje të llogarisin në mbështetjen e Agjencisë së Ndihmës Juridike Falas.” Pas fjalimit të saj, ajo u bashkua me studentët e drejtësisë në rrugët kryesore të Prishtinës për të shpërndarë broshura dhe për të mbështetur shpërndarjen e informatave mbi ndihmën juridike.

Për shkak të COVID-19, fushata u zhvillua virtualisht dhe, aty ku ishte e mundur, përmes prezencës fizike. Aktiviteti i USAID-it përdori mediet online dhe televizive, video udhëzimet dhe ato të animuara, intervistat me zyrtarët ligjor të ndihmës juridike, video mesazhet dhe një audio inçizim për të zgjëruar qasjen në informata mbi ndihmën juridike dhe për të nxjerrë në pah zërat e përfituesve. Java e Ndihmës Juridike Falas arriti që t'u bartë mesazhin e saj rreth 150,000 qytetarëve, duke siguruar informata mbi shërbimet e ndihmës juridike që janë në dispozicion të tyre.