Fuqizimi i krijimit të vendeve të punës dhe eksportit

Speeches Shim

E enjte, 12 Dhjetor, 2019
Subject 
Prosperiteti
Fuqizimi i krijimit të vendeve të punës dhe eksportit
Sheqer Ukaj, pronari i Elnorit dhe Lisa Magno Drejtore e USAIDit për Kosovë
Ardian Kurtolli, USAID

Mirëdita,

Në vitin 2014, unë mund të llogaritsja në gishtat e një dore kompanitë që ishin të gatshme për të eksportuar jashtë rajonit. Tani, pesë vjet më vonë, mbi 120 kompani kosovare janë të gatshme për këtë dhe po eksportojnë me sukses.

Kur e nisëm programin tonë Fuqizimi i Sektorit Privat (ndryshe njihet edhe si EMPOWER), kompania Elnor po dërgonte vetëm nga dy kamionë të ngarkuar me mobilje druri në vit për në Europë. Sot, e njejta kompani dërgon nga katër kamionë në muaj.
Do të thotë 48 kamionë në vit!

Sot ju mund të gjeni mobiljet e Elnor-it, bashkë me produkte tjera nga druri masiv të prodhuara në Kosovë, në sallonin ekspozues të Stuttgart-it. Në partneritet me biznese të diasporës, kemi themeluar këtë sallon ekspozues për të shërbyer si një nyje shpërndarëse për mobiljet e druri të prodhuara në Kosovë. Produktet tuaja tani janë bërë të disponueshme edhe përmes internetit, siç është rasti me faqen amazon.de.
Në fakt, produkti më i shitur përmes faqes së amazonit për Gjermani ishte një karrigë pa mbështetëse e prodhuar në Kosovë.

Një gjë shumë domethënëse është se brendi “Prodhuar në Kosovë” (Made in Kosova) po bëhet sinonim i konsistencës në cilësi. Jo vetëm kur janë në pyetje produktet e drurit dhe mobiljet.

Kompanitë ndërkombëtare po furnizohen me produkte të veshëmbathjes me cilësi të lartë nga Kosova, për t’i shitur ato nën etiketat e disenjatorëve — MaxMara, Dolce & Gabbana. Vetëm ecni brenda shtëpisë së parafabrikuar që është montuar jashtë. Çdo gjë që mund të shihni aty me krenari mban shenjën Prodhuar në Kosovë dhe është e gatshme për eksport. Përfshirë edhe vetë shtëpinë, edhe ajo është e gatshme.

Pastaj, kemi njerëzit e mrekullueshëm të Kosovës të cilët qëndrojnë pas këtyre produkteve. Për herë të parë ndonjëherë, inxhinierët kosovarë fituan çertifikime ndërkombëtare për instalim të paneleve fotovoltaike. Kjo do të thotë që ndërmarrjet kosovare, me inxhinierë të çertifikuar, mund të ofertojnë nëpër tenderë ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë, përpos produkteve, të eksportojnë edhe shërbime. Kompanitë si Elen dhe Jaha Solar tashmë po e bëjnë këtë.

Gratë e ndërmarrjes Tiki Mosaics në pjesën jugore të Mitrovicës po e shndërrojnë qelqin e recikluar në plaka të mahnitshme të mureve dhe dyshemeve, të cilat si për nga cilësia ashtu edhe funksionaliteti, qëndrojnë krah për krah me produktet e ngjashme italiane.

Nëse ende nuk jeni tërësisht të bindur se Kosova është plot me njerëz dinamik, të talentuar dhe me ide inovative, atherë hedhni një vështrim në sektorin e TIK-ut. Shikoni printerët 3D të prodhuar nga kompania Formon si dhe softuerin e krijuar nga kompania Adaptivit.

Së bashku me Sida-n, USAID me mençuri investoi në sektorin privat të Kosovës. Bizneset kosovare, nga ana e tyre, i’u përgjigjën këtij investimi të donatorëve në përpjesëtimin 5 me 1. Si rezultat, tani 5.000 njerëz më shumë kanë vende pune, ndërsa janë realizuar shitje të reja në vlerë mbi 200 milion dollarë amerikan. Shikuar nga këndvështrimi global, USAID-i i jep rëndësi të madhe angazhimit strategjik me sektorin privat duke përfshirë perspektivat tuaja dhe qasjet që keni ndaj ndaj tregut gjatë zhvillimit të strategjive dhe programeve tona për vendin nikoqir.

Shfrytëzoj rastin t’u drejtohem Sida-s dhe ekipit të Cardno-s të udhëhequr nga Skenderi, si dhe ndërmarrjeve dhe ndërmarrësve kosovar – është me të vërtetë një nder që kemi mundësinë t’i festojmë këto suksese së bashku me ju sot. Më duhet të them se për USAID-in, matës i vërtetë i suksesit tonë është nëse puna që kemi bërë dhe rezultatet që kemi arritur do të mund të vazhdojnë më tutje në të ardhmen, pavarësisht nga ajo se a jemi ne aty apo jo.

Si donatorë, ky është momenti i duhur që ne të bëjmë një hap prapa për t’i lejuar Kosovës të marrë mbi vete rolin prijës. Mos ngurroni përballë kësaj sfide pasi tashmë keni treguar se jo vetëm që është e mundur – është, në të vërtetë, gjëja më mire që mund të bëni. Zgjidhjet e qëndrueshme janë ato që udhëhiqen nga vendorët.

Një shembull i mirë janë evenimentet vjetore të Fuqizimit të Sektorit Privat: Festivali i Gjelbër, Konventa e Industrisë së Veshëmbathjeve dhe Konventa e Industrisë së Përpunimit të Drurit. Shoqatat tona partnere vendore tashmë kanë marrë mbi vete rolin prijës në organizimin e ngjarjeve të këtij viti. Nuk mund të ketë avokues më të mirë për sektorin tuaj sesa shoqatat e industrive tuaja përkatëse.

Udhëheqni përpara – shkruani kapitullin e lavdishëm të radhës në zhvillimin e sektorit privat të Kosovës.

Faleminderit.

Pristina, Kosovo
Issuing Country