Made In Kosovo: Produktet e drurit krijojnë reputacion brenda dhe jashtë vendit

Speeches Shim

Made In Kosovo: Produktet e drurit krijojnë reputacion brenda dhe jashtë vendit
E mora asistencën që më duhej në momentin kur më duhej më së shumti” - Ekrem Shaini
USAID EMPOWER Private Sector
Biznesi i mobiljeve lulëzon me rindërtimin e vendit pas luftës
“Na duhej t’i rindërtonim dhe t’i mobilonim shtëpitë pasi që ishin dëmtuar nga lufta”.

Maj 2018 - Për mijëra kosovarë që ikën nga dhuna gjatë konfliktit të armatosur të vendit në vitet 1998-99, kthimi në shtëpitë e djegura dhe ekonomia e tronditur paraqitën sfida dhe vështirësi të mëdha. Sidoqoftë, në mes të rrënojave për sipërmarrësit ekzistonte mundësia, veçanërisht në sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë.

Në Kosovën e pasluftës, afaristi Ekrem Shaini, sikurse shumë kosovarë, duhej të gjente mënyra të reja për mbijetesë. Me përvojën e tij si afarist dhe me syrin për mundësi, Shaini gjeti frymëzim të papritur kur ai shikoi nga dritarja.

“Na duhej t’i rindërtonim dhe t’i mobilonim shtëpitë pasi që ishin dëmtuar nga lufta... kështu erdhi ideja për ta filluar biznesin tim”, thotë Shaini.

Shaini filloi importimin dhe shitjen e mobiljeve të dhomave të gjumit ndërsa Kosova po rimëkëmbej, duke fituar njohuri thelbësore të tregut gjatë viteve. Në vitin 2015, ai donte ta zhvillonte më tej biznesin e tij duke prodhuar dhe eksportuar mobilje. Për fat të keq ai nuk ishte i sigurt se si ta organizonte prodhimin dhe kishte mungesë të makinerisë së paketimit si dhe kontakte të tregut që nevojiteshin për të arritur sukses.

Pasi dëgjoi për mbështetjen e USAID-it për sektorin privat të Kosovës, Shaini takoi stafin për të diskutuar se si USAID-i mund ta ndihmonte kompaninë e tij Palma që të rritej. Projekti pesëvjeçar EMPOWER Sektori Privat, i cili filloi në vitin 2014, i ndihmon bizneset në Kosovë që të zgjerohen duke e përmirësuar kapacitetin e tyre dhe duke i lidhur ato me tregje të reja.

Për ta mbështetur rritjen e Palmas, Shaini, me ndihmën e USAID-it, e hartoi një plan për ta optimizuar procesin e prodhimit dhe planimetrinë e fabrikës. Ai gjithashtu mori një grant për t’i plotësuar fondet e veta për blerje të makinerisë për paketim. Përveç kësaj, USAID-i e sponsorizoi pjesëmarrjen e Palmas në panairin tregtar IMM në Gjermani, një ngjarje e rëndësishme në industri, në 2017 dhe 2018. Produktet e Palmas ishin hit, dhe kështu filluan të vijnë porositë nga jashtë vendi.

“E mora asistencën që më duhej në momentin kur më duhej më së shumti”, thotë Shaini.

Palma tani i eksporton mobiljet e saj në nëntë vende - 60 për qind e shitjeve të saj janë eksporte dhe kapën mbi 1 milion euro në vitin 2017. Që atëherë, Shaini punësoi rreth 120 punëtorë të rinj dhe pret që t’i punësojë edhe 100 të tjerë për të vazhduar me porosi të reja.

Blerësit jashtë vendit gjithnjë e më shumë po i kërkojnë bizneset kosovare të përpunimit të drurit, falë kostos relativisht të ulët të punës dhe traditës së mallrave të prodhuara me dorë dhe të kualitetit të lartë.

Gati 20 vjet pas luftës së Kosovës dhe 10 vjet pas pavarësisë, sektori i përpunimit të drurit në këtë vend të ri ka fituar pozitë të mirë për rritje dhe për ta krijuar emrin në tregjet e huaja. Deri më sot, projekti EMPOWER Sektorit Privat i USAID-it ka ndihmuar në krijimin e rreth 800 vendeve të punës në industrinë e përpunimit të drurit në Kosovë duke i pajisur 55 biznese me mjetet që i duhen për sukses.

 

LINKS

 Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube