Speeches Shim
Qershor 2017 - Pasioni i Venera Fushës është ndërmarrësia. Ëndrra e saj është që ta bëjë ndërmarrësinë një mundësi të bëshme për të gjithë në universitetin ku ka diplomuar, Universitetin e Prishtinës.
Fusha është një nga 185 kosovarët që fituan bursë për studime të magjistraturës në Shtetet e Bashkuara nga Programi për Lidership Transformues - Bursat dhe Partneritetet në kuadër të USAID-it. Koha e saj në Universitetin Shtetëror të Kolorados duke ndjekur studimet në programin MBA për Ndërmarrje Globale Sociale dhe të Qëndrueshme ndihmoi që ajo të transformohet, si personalisht ashtu dhe profesionalisht.
“Unë u sfidova për t’u marrë me problemet e liga të botës dhe të mendoj në mënyrë kritike rreth zgjidhjeve dhe si t’i zgjidhim ato. Kjo më dha më shumë shkathtësi profesionale në kuptim të të menduarit në lidhje me biznesin dhe përgjegjësinë shoqërore si një zgjidhje për sfidat botërore, por edhe më shumë shkathtësi personale në kuptim të ndërlidhjes së biznesit dhe aspektit shoqëror të të qenit e vetëdijshme mbi vuajtjet e popullit dhe mungesën e mundësive për arsimim, shëndetësi dhe të ardhura”, thotë ajo.
Programi tresemestral është i ndërtuar rreth studentët duke krijuar një sipërmarrje me rrezik të jetës së vërtetë, të qëndrueshme dhe të fokusuar në zgjidhjen e problemeve në vendet e sapokrijuara dhe ato në zhvillim.
Prej se është kthyer në Kosovë, Fusha ka vepruar për të ndjekur pasionin e saj, duke punuar me Universitetin e Prishtinës për të krijuar një inkubator të ri të pashoq të sipërmarrjes me rrezik të quajtur VentureUP.
“Aktualisht, VentureUP është në proces të regjistrimit si fondacion,” thotë Fusha me vetëbesim. “VentureUP do të ofrojë dy lloje të shërbimeve për studentët e Universitetit të Prishtinës. Së pari, studentët mund të përdorin inkubatorin e biznesit si një qendër burimore për mentorim, rrjetëzim dhe për të vendosur rrugë të komunikimit me engjëjt e biznesit. Së dyti, studentët dhe stafi, puna kërkimore e të cilëve çon në ide që mund të komercializohen, mund ta përdorin inkubatorin si mjet për transferim të teknologjisë që ndihmon trajtimin e të drejtave të pronës intelektuale dhe patentave.”
Fusha bashkëthemeloi inkubatorin së bashku me një grup profesorësh nga Universiteti, duke përfshirë Kreshnik Hotin, Besnik Krasniqin, Skender Kaçiun dhe Mentor Thaçin, si dhe Prorektorin Faton Berisha. Megjithatë, ideja ka rezultuar nga një letër e bardhë e botuar në shkurt të vitit 2016 nga ana e Komitetit Këshillimor të Programit të Lidershipit Transformues - Bursat dhe Partneritetet. Komiteti Këshillimor jep rekomandime të politikave për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Ky dokument shkoi deri te stafi akademik dhe udhëheqësia e universitetit, duke rezultuar me mundësitë frymëzuese që Fusha tani i nxitë dhe i mbështetë.
Disponueshmëria e një inkubatori të sipërmarrjes me rrezik në institucionin më të madh publik të arsimit të lartë në Kosovë, ka potencialin për të ndikuar në mënyrë të konsiderueshme të rinjtë e Kosovës, si dhe të ardhmen e universitetit dhe të vendit. VentureUP pritet të fillojë të veprojë në shtator 2017.
“Ne duam që të inkurajojmë ndryshimin e mendësisë, dhe ne duam të kemi njerëz që mendojnë rreth ndërmarrësisë”, thotë Fusha. “Unë kam pasur rastin të jem dëshmitare e asaj se si babai im i ka ndihmuar të tjerët me anë të zhvillimit të ideve të tyre të biznesit dhe duke i frymëzuar ata për ndërmarrësi nga një moshë shumë e njomë.” Ajo përshkruan në hollësi të bollshme se si zhvillimi dhe rritja e VentureUP si një qendër për ndërmarrësi në Universitetin e Prishtinës do të ndihmojë të diplomuarit të cilët kishin një shteg të karrierës të padefinuar më parë, për të filluar ndërmarrjet e veta - qofshin sipërmarrje me rrezik për profit apo për dobi shoqërore - dhe për të krijuar jetesën e vet.
“Unë me të vërtetë besoj se VentureUP ka potencialin për të ndikuar në mënyrë dramatike mbi të ardhmen e rinisë së Kosovës. Ne duam të ndihmojmë në krijimin dhe mbështetjen e startup-ve, që do të çojë në më shumë vende pune dhe madje edhe një ndryshim në të menduar për njerëzit sipërmarrjet me rrezik të të cilëve ndoshta nuk mund të kenë sukses”, shpjegon Fusha.
Programi i Lidershipit Transformues - Bursat dhe Partneritetet në kuadër të USAID-it për një periudhë pesëvjeçare e cila shkon nga viti 2014 deri në vitin 2019, angazhohet për zhvillimin e një kuadri të liderëve që do të ngasin ndryshimin në fushat prioritare ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë. Deri më sot, përveç 185 bursave për magjistraturë, janë ndarë 102 bursa për certifikim profesional, dhe janë krijuar katër partneritete universitare.
LINKS
Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.